| Velipoja me luk tjetėr befason turistėt - GAZETA SHQIPTARE |
|
|
|
|
Ka ndryshuar luktërësisht. Pushues vendas apo turistë që do të ndalin hapin në Velipojë qoftë edhe për pak kohë, do të befasohen me pamjen e saj të re. Dhjetëra ndërtime pa leje që dikur zinin qendrën e këtij plazhi dhe "preknin" deri buzë detit, tashmë janë rrafshuar përtokë nga fadromat e ndërtimorëve. Rrugët janë shtruar e asfaltuar dhe gjithandej feksin dritat. Kryekomunari Nikoll Marku e shikon ndryshimin e Velipojës si sfidë të kohës dhe plotësim të premtimeve të tij elektorale. Por për të arritur deri këtu, i është dashur të ndeshet me probleme të shumta, deri dhe me kërcënime për jetën. Në një intervistë të dhënë për "Gazeta Shqiptare", Marku ka deklaruar se shembja e ndërtimeve të paligjshme ka qenë sfida më e vështirë. Ai tregon gjithë punën e bërë, që ka çuar në ndryshimin e pamjes së zonës turistike. Sipas Nikoll Markut, plazhi i Velipojës, nga një zonë turistike modeste ka marrë pamje madhështore falë akordimit të një fondi prej 900 milionë lekësh. Ndërsa thotë se këtë vit, Velipoja do të presë rreth 120 mijë turistë në ditë. Çfarë është investuar konkretisht në Velipojë? Vetëm gjatë periudhës së fundit, në plazhin e Velipojës janë investuar 900 milionë lekë. Me investimet e bëra ka ndryshuar rrënjësisht infrastruktura e plazhit. Rrugët kryesore janë asfaltuar, janë shtruar trotuare, janë krijuar hapësira të gjelbër si dhe është bërë ndriçimi rrugor. Gjithashtu, pjesë e këtij investimi kolosal është dhe sigurimi i energjisë elektrike përgjatë 24 orëve të plazhit, si dhe me ujë të pijshëm. Në plazhin e Velipojës, nga njëmijë ndërtime që janë ngritur vitet e fundit, vetëm 5 prej tyre kanë leje. Si do operohet në lidhje me këtë problem? Gjatë një viti kemi prishur rreth 200 ndërtime pa leje në qendër të plazhit të Velipojës dhe kemi krijuar një hapësirë të madhe prej 30 hektarësh, ku deti tashmë mund të shikohet nga rruga. Mund të them se plazhi ka marrë një pamje madhështore. Për Velipojën është miratuar nga KRTRSH-ja një masterplan urbanistik, dhe ne atë po zbatojmë. Normalisht që kemi hasur në pengesa. Por, nëse është parashikuar një rrugë apo lulishte në planin urbanistik, aty është ndërhyrë për ta prishur objektin. Do të vazhdojë prishja e ndërtimeve të paligjshme? Është një betejë që tashmë e kemi nisur. Deri tani i kemi larguar 200 metra nga deti ndërtimet pa leje dhe do i largojmë minimumi deri në 300 metra. Të gjitha objektet e paligjshme që prishin imazhin e plazhit apo i bien ndesh masterplanit, do të shemben. Sa e vështirë ka qenë prishja e ndërtimeve pa leje? Kemi hasur në pengesa të mëdha. Kemi pasur kërcënime deri dhe me jetë nga telefonata të ndryshme, por nuk jemi ndalur dhe nuk do ndalemi. Dikush duhej ta merrte përsipër rrezikun, pasi ka plot 15 vite që Velipoja po rrezikonte të kthehej në një Bathore të dytë. Tashmë ajo kohë iku, dhe Velipoja po merr pamjen e një qyteze bashkëkohore turistike. Jemi krenarë me atë që kemi bërë, por do krenohemi dhe më shumë në përfundim të punës. Qëllimi ynë është që plazhi i Velipojës të jetë një ndër më të mirët në vendin tonë, pasi nuk i mungojnë kushtet gjeografike. Pamja që ka marrë sot Velipoja, i ngjason një bregdeti të virgjër ende të pazbuluar nga guida turistike. Rëra e pastër e me jod dhe uji i detit mjaft i pastër, i japin kësaj zone jo vetëm vlera të rralla turistike, por dhe kurative. Vitin e kaluar, Ministria e Mjedisit e ka shpallur plazhin e Velipojës, si plazhi me rërën dhe ujin më të pastër në bregdetin shqiptar. Mbase është kjo një ndër arsyet që Velipojës, nga viti në vit i shtohen në mënyrë rekord turistët. BRIKENA SHLLAKU, GAZETA SHQIPTARE / 20 Maj 2008 |
| < I mėparshmi | Tjetri > |
|---|