| Velipoja, bregdeti me fytyrė tė re - PANORAMA |
|
|
|
|
Kështu është shprehur në prag të fillimit të sezonit turistik, kryekomunari Nikoll Marku. Pushues vendas apo turistë që do të ndalin hapin në Velipojë, qoftë edhe për pak kohë, do të befasohen me pamjen e saj të re. Rreth 120 mijë turistë mendohet se do të prekin këtë verë rërën e plazhit shqiptar të fundit në Adriatik. Dhjetëra ndërtime pa leje që dikur zinin qendrën e këtij plazhi apo dhe deri buzë detit, tashmë janë rrafshuar përtokë nga fadromat e ndërtimorëve. Prej disa muajsh, kjo komunë, mjaft e preferuar për resurset e saj natyrore është kthyer në një kantier të vërtetë ndërtimi. Kioskat dhe ndërtesat njëkatëshe të ngritura jashtë çdo parametri apo në kundërshtim me masterplanin e këtij plazhi janë shembur prej kohësh dhe në vend të tyre janë duke u ndërtuar komplekse pallatesh në përputhje të plotë me atë çfarë parashikon plani i urbanistikës. "Gjatë një viti kemi prishur rreth 200 ndërtime pa leje në qendër të plazhit të Velipojës dhe kemi krijuar një hapësirë të madhe prej 30 hektarësh, ku deti tashmë mund të shikohet nga rruga", pohon Marku. Ndërkohë që po bëhen investime në rrugë, drejtuesit lokalë i kanë dhënë prioritet dhe ngritjes së sipërfaqeve të gjelbëruara, të cilat në kompleks me gjithë investimet e tjera do krijojnë një ambient komod për pushuesit e shumtë. Nuk janë lënë në harresë as dhe problemet e mëparshme që kanë të bëjnë me furnizimin përgjatë 24 orëve me energji elektrike dhe me ujë të pijshëm, si dhe ndërtimi i shkollave dhe qendrave shëndetësore. Sipas kryekomunarit Marku, gjithçka po ecën sipas masterplanit të vitit 2003, ku janë prishur një pjesë e mirë e ndërtimeve pa leje, të cilat pengonin zbatimin e këtij plani, ndërkohë që pjesa e mbetur do të vazhdojë të prishet në muajin shtator me mbarimin e sezonit të plazhit. "Kemi hasur në pengesa të mëdha. Kemi pasur kërcënime deri dhe me jetë nga telefonata të ndryshme, por nuk jemi ndalur dhe nuk do ndalemi. Dikush duhej ta merrte përsipër rrezikun, pasi ka plot 15 vite që Velipoja po rrezikonte të kthehej në një Bathore të dytë. Tashmë ajo kohë iku dhe Velipoja po merr pamjen e një qyteze bashkëkohore turistike", thekson kryekomunari. "Qëllimi ynë është që plazhi i Velipojës të jetë një ndër më të mirët në vendin tonë, pasi nuk i mungojnë kushtet gjeografike". Megjithatë, tani që sezoni është në prag të fillimit, mbeturinat e ndërtimeve pa leje janë pika më e dobët për plazhin e Velipojës. "Prishja e ndërtimeve pa leje në Velipojë ka bërë që aktualisht të kemi një tjetër shqetësim, largimin e këtyre mbeturinave. Komuna e Velipojës nuk i ka mundësitë për të bërë pastrimin e zonës, pasi bëhet fjalë për sasi të mëdha inertesh, janë më shumë se 700 metër kub mbetje inerte, të cilat duhet të largohen patjetër sa më shpejt. Jemi në nisje të sezonit turistik dhe duhet të ndërhyhet patjetër", apelon Marku. Në këto kushte komuna e Velipojës i ka kërkuar ndihmë Ministrisë së Mbrojtjes pasi vetëm ushtria mund të bëjë këtë zhvendosje mbeturinash inerte. Pamja që ka marrë sot Velipoja, i ngjason një bregdeti të virgjër ende të pazbuluar nga guida turistike. Rëra e pastër, me jod dhe uji i detit mjaft i pastër, i japin kësaj zone jo vetëm vlera të rralla turistike, por dhe kurative. Ndër investimet kryesore janë rikonstruksioni i shëtitores së qendrës së plazhit, në të cilën po punohet me ritme të shpejta. Po kështu po punohet dhe në përfundimin e 2 urave me dy kalime, në rrugën që të çon në plazh, pranë fshatit Baks, ndërsa ka përfunduar rruga e Vilunit me të gjithë parametrat e duhur. Investimet kapin një shifër prej 1.2 milion eurosh të dhëna nga qeveria shqiptare, dhe një pjesë e tyre do përfundojnë deri në fund të këtij viti. Për sa i përket pastrimit të plazhit, kreu i komunës Marku u shpreh se, puna ka nisur që nga 15 maji dhe do të vazhdojë deri më 15 shtator. "Për pastrimin do të punojnë dy kompani, për të cilat janë planifikuar 50.000 euro”. RIDVAN DIBRA , PANORAMA / 1 Qershore 2008 |
| < I mėparshmi | Tjetri > |
|---|