|
ANILA DUSHI, SHEKULLI Ndryshimi është i dukshëm në plazhin më të madh të veriut të vendit, Velipojën. Për këdo që ka disa vite pa e vizituar këtë perlë të Adriatikut, pamja paraqitet ndryshe. Dhjetëra ndërtime pa leje që kishin mbirë si kërpudha tashmë i kanë lënë vendin plazhit dhe rërës. Një shëtitore e liruar nga kioskat e ndërtimet prej llamarine, ku vazhdon të punohet për rikonstruksionin e saj dhe pse këtë verë ai nuk do të përfundojë. Në këto ditë të para të sezonit turistik, në Velipojë vërehen lëvizje të shumta automjetesh. Qyteza e vogël turistike në këto ditë qershori të paraqet dy pamje. Në pjesën e rërës pushuesit, më së shumti ditorë por dhe rezidencialë, kanë ngritur çadrat e marrin rrezet e diellit pranë ujit të Adriatikut. Në pjesën tjetër, punohet. Velipoja ndodhet në pritje të një sezoni turistik që këtë vit u hap vetëm më 15 qershor. Por kjo nuk i ka penguar pushuesit që të vijnë në këtë plazh, madje që më një qershor ka pasur kabina e hotele që kanë pritur të tillë. Ajo që vërehet në këto ditë në Velipojë, janë mjaft makina me targa të Kosovës. Pronarët e hoteleve dhe ata që kanë zgjedhur këtë vend për biznesin e tyre, pohojnë se këtë vit kosovarët kanë ardhur më shpejt në këtë plazh, duke mos nguruar të shprehen optimistë se numri i tyre në ditët në vazhdim do jetë më i madh. Duke lëvizur rrugëve të plazhit , vëren pak ndërtime të shtuara këtë vit.
Duke folur me banorë të këtij plazhi, me biznesmenë që kanë investuar në fushën e turizmit dhe që prej vitesh punojnë këtu gjithë stinën e verës, kupton dhe shkaqet e vonesës së sezonit turistik të këtij viti si dhe mungesë thuajse plotësisht të investimeve private këtë vit. Plazhi i Velipojës përbëhet nga tre pjesë të pandara që funksionojnë prej vitesh si një e tërë. Qendra e plazhit, në jug Laguna e Vilunit dhe në drejtimin verior ndodhet derdhja e Bunës në det. Në këto tre zona janë përqendruar dhe ndërtimet e shumta. Deri në vitin 1990, ndërtime kishte vetëm në qendër, ndërsa më pas nisën ndërtimet e para private. Fillimisht ato u shtrinë drejt Vilunit dhe më pas, kur ajo zonë thuajse u tejmbush, ndërtimet u shtrinë dhe në krahun tjetër nga dredhja e Bunës. Sipas të dhënave që disponon komuna Velipojë, në këtë plazh ka mbi 800 ndërtime të evidentuara e të deklaruara, ndërsa numri i tyre realisht është më i madh. Të parët që kanë filluar të investojnë në këtë plazh, menjëherë pas ndryshimit të sistemit kanë qenë vetë banorët që morën në pronësi kabinat e ndërtesat e bëra gjatë viteve 70-90 të shekullit të kaluar. Më pas ishin po këta që filluan të shesin sipërfaqe toke në plazh, shitje këto më së shumti pa dokumente hipotekues. Në këtë kohë u ndërtua pa asnjë plan, gjithkush sipas dëshirës. Çmimi i tokës në vitet e para, pohojnë ato që kanë investuar në këtë plazh, ishte 4000 lekë të reja metri katror. Aktualisht çmimi i tokës në plazh ka shkuar në 210 euro për metër katror. Vetëm në fillim të vitit 2001 shteti u kujtua që të merret me Velipojën, për t’i vënë disi rregull ndërtimeve të shumta që shtoheshin në këtë plazh. Ndërhyrja e fundit daton në maj kur u prishën 67 ndërtime në krahun e Vilunit, ato që ishin fare pranë mbarimit të rërës dhe më afër bregut të detit. Të gjitha pa leje, mure rrethues, dyqane , kioska, shtëpi pushimi, pallate të nisura për ndërtim por dhe hotele. Rrënojat e prishjeve të fundit janë akoma aty, fare pranë plazhit e rërës si dëshmi e asaj që mund të bëjë shteti nëse merr sadopak mundimin për të rregulluar situatën kaotike. Ndonëse në komunë thuhet se kanë ardhur mjetet e ushtrisë që do bëjnë pastrimin e plazhit nga mbeturinat e prishjeve të ndërtimeve, kjo akoma nuk ka ndodhur.
INTERVISTA
Rrëfen emigranti i cili fajëson shtetin për mos zhvillimin e plazhit më të madh të veriut të vendit
“Pas 12 vitesh emigracion, zgjodha Velipojën”
Shkëlqim Brahimi, është një prej atyre që investimi iu prish në muajin maj. Emigrant i kthyer tashmë në vendine tij ai rrëfen për “Shekullin” rreth asaj që ka ndodhur me këtë plazh të mrekullueshëm ku as nuk është ruajtur ajo pasuri që ishte dhe as nuk është krijuar mundësi nga shteti të ketë zhvillim progresiv.
Përse keni zgjedhur Velipojën për të investuar kursimet e juaja?
Velipoja ka vend për 500 mijë vetë e jo për rreth 100 mijë që vijnë aktualisht. Është një ndër plazhet më të bukura të Evropës. Unë kam jetuar 12 vite në emigracion dhe kam parë mjaft plazhe por Velipoja, si askund tjetër, ka detin, malin, pyllin e lagunën.
Po përse mendoni se Velipoja nuk është zhvilluar?
Shtetin e ka penguar korrupsioni dhe indiferentizmi, moskokëçarja për të vënë në funksionim normal dhe si duhet pasuritë e tij natyrore. Në fillim ishte indiferentizmi dhe kjo zonë u la krejtësisht jashtë vëmendjes. Kur shtetit shqiptar i ra ndër mend se kishte një vend turistik të magjishëm si Velipoja, atëherë filloi korrupsioni. As nuk janë dhënë leje për ndërtime dhe as nuk janë lejuar njerëzit të punojnë. Gjithë ajo që është investuar është e pasigurt, është bërë duke parë njëri- tjetrin dhe korrupsionin që ka përfshirë shtetin, përherë me frikën se do vinte një ditë që mund të prisheshin dhe me shpresën që kjo ditë të ishte sa më e largët ose të jepeshin leje. Por për disa kjo ndodhi dhe dita e prishjes erdhi.
Biznesmenët zgjedhin të ndërtojnë në Velipojë
Ndërtimet në plazhin eVelipojës janë të shpërndara në të gjithë territorin e saj, duke nisur nga fare pranë mbarimi i rërës e deri në brendësi të rrugës automobilistike. Ato që kanë ndërtuar janë kryesisht nga Shkodra, dhe më pak nga Malësia e Madhe. Është ndërtuar për biznes, duke investuar në kabina, shtëpi deri në tre kate apo dhe hotele që u vihen në dispozicion pushuesve të ndryshëm. Por është ndërtuar dhe për përdorim individual, banesa jo të mëdha për përdorim familjar. Në mjaft raste kanë qenëpersona të ndryshëm me lidhje shoqërore apo fisnore që janë bashkuar dhe kanë blerë tokën dhe më pas kanë ngritur një godinë me disa hyrje në formë pallati me sipërfaqe të barabartë. Sipas atyre që kanë aplikuar këtë formë ndërtimi, kjo është bërë për shkak të kostos më të lirë të tij dhe tokës së blerë e cila në këtë mënyrë duke u ndarë në disa pjesë kushton më pak. Shtëpi “luksoze” për përdorim familjar kanë ndërtuar biznesmenë nga qyteti e zona të tjera, familje që kanë fëmijët në emigracion dhe më pak banorët e zonës. Një ndër ato që ka investuar në plazhin e Velipojës , jo për biznes por për përdorim familjar, Behar Asllani nga qyteti i Shkodrës tregon për “Shekulli” shkaqet që e kanë shtyrë që të ndërtojë një banesë në plazh. “Për shkodranët Velipoja është një pasuri natyrore e papërshkrueshme, e cila përveç plazhit ka dhe mundësi të tjera argëtimi, çlodhjeje e pushimi. Para viteve 90-të , kujtoj se familjet tona me shumë vështirësi dhe një herë në disa vjet, përmes ndërmarrjeve ku punonin, arrinin të siguronin një vend në plazhin e Velipojës, për dy javë , kabinë apo dhe çadër”,- thotë ai. Por tashmë Asllani ka një apartament të tijin. Ai dhe familja e tij udhëton çdo verë duke kaluar pushimet në plazhin kryesor të veriut.
Këtë vit kosovarët “braktisin” Durrësin
Ky plazh ka një vijë bregdetare për shfrytëzim 14.5 km, nga grykëderdhja e Bunës deri pranë Rërës së Hedhur. Rëra është 300 m dhe prania e baticës e zbaticës bën që ajo të jetë përherë e pasur me jod dhe me karakteristikat e saj. E ndonëse problemet duket se dhe këtë vit nuk mungojnë, përsëri Velipoja tërheq pushues. Sheremet Hoti ka udhëtuar nga Kosova me gruan dhe dy fëmijët për të kaluar pushimet në plazhin e Velipojës. Ai ka vizituar shumë plazhe shqiptare dhe këtë herë ka vendosur të ndalojë në Velipojë. “Unë prej katër vitesh vij në Shqipëri për pushime dhe në Velipojë është hera e parë. Kam qenë në plazhe të tjera shqiptare, ndërsa këtu kam ardhur me datë 10 qershor. Kisha planifikuar të rrija një javë, por kemi vendosur të rrimë deri në fund të muajit. Zgjodha Velipojën pasi ma rekomanduan disa miq të mi që kishin pushuar vitin e kaluar këtu dhe ishin të kënaqur”,- tregon Hoti. Ai ka preferuar këtë plazh jo vetëm për detin e pastër dhe rërën e veçantë por për mundësitë e tjera që të ofron. “Kam shkuar në mjaft plazhe, por rëra e këtushme nuk ka të krahasuar. Po kështu dhe klimadhe pylli, Viluni e Rëra e Hedhur. Kam shfrytëzuar edhe pyllin. Kostoja e pushimeve në Velipojë për mua është rreth 800 euro dhe mendoj se është më lirë e më mirë se diku tjetër”,- pohon ai. Të tjerë pushues në këtë plazh rrëfejnë arsyet që e kanë zgjedhur atë. Luftrim Berisha ka ardhur nga Gjilani për të pushuar në Velipojë së bashku me bashkëshorten Hajrijen. Ata rrëfejnë se kanë qenë dhe vitin e kaluar dhe kanë mbetur të kënaqur. “Unë kam një djalë që jeton me familjen e tij në Zvicër dhe ai punon mësues. Ka qenë ai që ma mbushi mendjen të vija vjet në Velipojë që ka klimë të mrekullueshme, por dhe vlera kurative. Kemi mbetur të kënaqur dhe gruas sime që vuan nga sëmundje reumatizmale i ka bërë mjaft mirë. Unë preferoj të notoj por më shumë vlerësoj rërën e pasur me jod dhe mjaft cilësore. Po kështu dal dhe shëtis dhe në pyll”,- tregon ai. Shumë pushues të tjerë nga Kosova kanë zgjedhur këtë vend për të kaluar ditët e nxehta të verës si në plazh ashtu edhe në pyjet e freskëta.
TABELA E ÇMIMEVE
15 deri 30 qershor, 20 mije leke
1 deri me 15 korrik, 25 mijë lekë
15 korrik -15 gusht, 35-55 mijë lekë
15 deri 31 gusht, 30-45 mijë lekë |